Në datëlindjen e 60-të: Bashkë me URIMIN edhe një FALENDERIM, për 38 vjet gazetari sportive – Gani KOSUMI
11.04.2015 | 23:50
Gani Kosumi cilësohet si “Galeri sportive e Kosovës”. Arhiva e tij personale ka mbi 70 mijë fotografi që dokumentojnë ecurinë e sportit të Kosovës nëpër vite. Datelindja e tij e 60, Ganiut i sjell 38 vjetorin e karrierës së tij - gazetar sporti. Ndërsa periudha më e vështirë e ushtrimit të profesionit prej gazetari dhe fotoreporteri, siç thotë vet Ganiu, padyshim se ishin vitet e ’90-ta, atëherë kur u pavarsua sporti i Kosovës. 
 
Pikërisht nga kjo kohë, Gani Kosumi “me syrin e tij magnetik” (fotoaparatin) regjistroj, e me dorë shkruajti, momente të jashtëzakonshme, që tashmë janë pjesë e historisë sportive të Kosovës. 
 
Gani Kosumi, fal shëndetit të mirë që ka dhe vullnetit të madh që ka për punën, sigurisht se ka akoma çka t’i jap gazetarisë sportive. Ai vazhdon të jetë akoma burim i pashtershëm i informacioneve sportive…!
 
Fillimet e gazetarisë sportive Gani Kosumi i bëri në gazetën studentore “Bota e re”, ku gjatë studimeve ishte bashkëpunëtor i rregullt dhe shkruante thjeshtë vetëm për sportin. Krahas studimeve, në vitin 1981 nis punën e gazetarit të sportit në “Radio Prishtinë”. Aty vazhdoi edhe më tej të afirmojë vlerat e sportit universitar. 
 
Duke qenë se punën e gazetarit e ka kryer në radio, Gani Kosumi dashamirëve të sportit gjatë viteve të 80-ta realisht më shumë u kujtohet me zërin tij, sesa me fotografinë e tij.  Pra, ishte zëri i Gani Kosumit që shoqëronte me informacionet kryesore të gjitha aktivitetet e rëndësishme sportive të atyre viteve. 
          
Ta zëmë; ishte Gani Kosumi ai që kryente punën e spikerit oficiel në ndeshjet kampionale të futbollit që Prishtina i zhvillonte në stadiumin e qytetit. Zëri i Gani Kosumit, si spiker oficiel dhe zërat  e 30-40 mijë spektatorëve në stadiumin e qyteti jepnin bashkë formacionin e Prishtinës para çdo fillim ndeshje të Ligës së Parë Federative.Ganiu njoftonte për golashënuesit, zavendësimet, etj...! 
 
Ishte po Gani Kosumi që këtë rol e kishte edhe ne meçet e boksit që i zhvillonte kampioni i pesëfisht i federates së atëhershme, Prishtina. Zatën për rrethana të atëhershme, këto ishin ngjarjet kulminante të sportit të Kosovës.
 
Pastaj vijnë ditë të vështira për sportin e Kosovës, por edhe për gazetarinë sportive në përgjithësi, duke përfshirë këtu edhe punën e gazetarit Gani Kosumi. Periudha e viteve 1991-1999.
         
Në këtë periudhë, si rezultat i dhunës që ushtrohej në përgjithësi ndaj shqiptarëve, edhe sporti i Kosovës vendosi të zhvillohet i pavarur, dhe për dhjetë vjet rresht bëri një jetë në kushte lufte, që ishte shembull i vetëm në botën sportive. 
Gani Kosumi në këtë periudhë bëri shumë për sportin e Kosovës. Madje, përmes Radiotelevizionit shqiptar, çdo herë raportonte lidhur me të gjitha ngjarjet sportive që zhvilloheshin në Kosovë. Njëkohësisht, bashkëpunoi me të gjitha gazetat e shtypura në Kosovë dhe Shqipëri, për të pasqyruar në vazhdimësi realitetin në sportin e Kosovës. 
         
Pas vitit 1999, dy vjet punoi Redaktor i sportit në “Radio Rilindja”, kurse më pastaj, kthehet në folen e vjeter, në “Radio Kosovë”, në cilësi të Redaktorit të Redaksisë së sportit. 
 
Më herët ka bashkëpunuar me të gjitha gazetat dhe revistat në Kosovë dhe në Shqipëri. Si psh; gazetën “Rilindja”, “Bujku”, “Zëri”, “Sportin shqiptar” dhe të tjera. Po ashtu kontribut ka dhënë edhe për gazeten shqipe “Sporti” që në vitin 2000 nisi të publikohej në Gjermani.
 
Për punën dhe përkushtimin në gazetari, është nderuar me shumë mirënjohje dhe diploma, nga federatat e ndryshme sportive, klube dhe institucione, qoftë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në Mërgatë. Veçojmë dy çmime. 
         
Në vitin 2002, merr çmimin “Gazetar i vitit për sportet luftarake në Kosovë”, kurse në vitin 2013, nga Shoqata e Gazetrëve sportivë të Kosovës, nderohet me çmimin “Gazetari më i mirë për Radio”  etj. 
 
Ka mbaruar studimet në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhes Shqipe në Fakultetitn Filologjik të Universitetit të Prishtinës.
Duke qene gazetar profesionist që informacionin e vet e bazon në fakte, Gani Kosumi në vitet e ‘90-ta, kur edhe gazetaria sportive funksionente në kushte të vështira, për ta bërë punën e tij profesionale vetes i shton edhe një argumet – fotografinë. Prandaj nis që vet ta bëjë edhe punën e fotoreporterit. Kjo për faktin se ai ishte i vetdijshëm që në shumë raste do të jetë fotografia ajo që do të pasqyron më së miri faktet e asaj kohe. Jo më kot thuhet se “një fotografi vlenë sa 1000 fjalë”. 
         
Dhe vërtetë ashtu ndodhi. Falë gjithë atyre fotografive të atyre viteve, për Gani Kosumin në vitin 2010, Xhavit Kajtazi nxorri libri “Gazetari për Gazetarin”. Në ketë libër, me shumë fotografi, është paraqitur rrjedha e aktiviteteve sportive në periudhen më të vështirë të sportit kosovar (periudha 1991-1999).
 
Kjo kohë pastaj, të themi “i la në dorë” fotoaparatin dhe që nga atëherë Ganiu, krahas punës Redaktor i sportit në “Radio Kosovë” , vazhdon që me përkushtim të madh ta kryej edhe punën e fotoreporterit në shumë ngjarje sportive në vend. E veçanta e punës së tij është se Gani Kosumi vazhdon të jetë modest, nuk injoron asnjë ngjarje sportive, bile kush më shumë se Gani Kosumi është promovuesi më i mirë i talentëve sportiv të të gjitha degeve sportive.
 
Aty ku mendohet se në një ngjarje sportive nuk është askush për ta dokumentuar ate  – aty në fakt është Gani Kosumi që e regjistron, e raporton, e dokumeton dhe e ruan ate.
          
Kjo punë e tij e palodhshme ka bërë që aktualisht z.Kosumi në arhiven e tij personale të ketë mbi 70 mijë fotografi të selektuara me pedantëri  për nga vitet, për nga lloji dhe për nga organizimi i ngjarjes sportive. 
 
Prandaj, meqense datëlindja e 60 është vit jubilar në jetën e njeriut, krahas urimit për datëlindjen e tij të 60-të,  dashamirët e sportit, kolegët, por edhe zyrtarët sportiv të vendit, zotriut Gani Kosumi, do të duhej t’i themi edhe “FALEMINDERIT Gani KOSUMI”,  për punën tënde të pa lodhshme deri këtu. 
        
Por, ky falenderim vlen vetëm për punën e deritshme, sepse Gani Kosumi, fal shëndetit të mirë që ka dhe vullnetit të madh që ka për punën, sigurisht se ka akoma çka t’i jap gazetarisë sportive. Ai vazhdon të jetë akoma i frytshëm…!
 
Paq shëndet miku im, rrnofsh edhe shumë vite tjera…!
 
Esad EJUPI
 
 
 
 
 
 
 
Email to send to: *
Your name: *
Your E-mail: *