Miratohet rregullorja për kategorizimin e sporteve
09.02.2017 | 18:38
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka nënshkruar rregulloren për kategorizimin e sporteve, dokument ky normativ i cili përcakton rregullat, kriteret dhe procedurat për kategorizimin e sporteve dhe sportistëve në Republikën e Kosovës, të cilat do të bazohen në cilësi dhe rezultate të arritura në gara ndërkombëtare.
Në bazë të rregullores, sportet kategorizohen në katër grupe, të ndara me shkronja “A” deri në “D”, dhe në këto grupe përfshihen federatat në bazë të grumbullimit të pikëve. Grupin A e përbëjnë federatat që kanë më shumë se 70 pikë, grupin B 50 – 69.99 pikë, në C hyjnë federatat që arrijnë të grumbullojnë 30 – 49.99 pikë, ndërsa grupi i fundit D” i përfshin federatat të cilat kanë grumbulluar deri në 29.99 pikë.
Sipas një njoftimi të ministrisë, pikët e fituara bazuar në rregullore, vlerësohen në anëtarësimin e federatave kombëtare në federatat përkatëse ndërkombëtare të njohura në Sportaccord, sipas pjesëmarrjes në kampionate evropiane e botërore, në bazë të rezultateve të arritura në garat ndërkombëtare në Lojërat Olimpike, në Kampionatet përkatëse Botërore e Evropiane, në rezultatet e arritura nga sportistët e federatave të caktuara, në medaljet e fituara nga sportistët e federatave kombëtare. 
Kriter tjetër për grumbullimin e pikëve është edhe ai i masivitetit, se sa një federatë arrin të ketë klube të regjistruara, numrin e sportistëve të regjistruar, duke pasur parasysh edhe gjithë përfshirjen, aspektin gjinor, pesonat me aftësi të kufizuara dhe kriterin e aftësisë që një federatë ka për ngritjen e kapaciteteve. Rregullorja e miratuar tashmë, përcakton edhe procedurat për kategorizim, formularin, aplikimin, dokumentacionin, afatet, të drejtat për ankesë e financimin sipas kategorizimit.
Email to send to: *
Your name: *
Your E-mail: *