Në sport nuk ka “hakmarrje” – ka “revansh” !
07.02.2017 | 11:46
Shkruan: Esad EJUPI
 
Çështja e përdorimit të termave të caktuara në shkrime, komentime apo raportime të ngjarjeve sportive mund të jetë diçka personale që karakterizohet si stil i veçantë i autorit (komentatorit). Por, nëse përdorimi i termave të caktuar, që shpesh herë nuk përshtaten mirë me mendimin që e përcjellin kalon në dukuri, ateherë kjo është diçka më shumë se sa vetëm një “lëshim i rastit”.
 
Gazetarë sportiv, duhet të kemi parasysh që insistimet tona, synimet, kërkesat për zhvillim dhe ngritje të nivelit të sportit në vendin tonë, nuk duhet kufizuar vetëm në infrastrukturën sportive, në klubet, në sportistët, por, patjetër se ky zhvillim dhe ngritje, duhet të përfshijë edhe mediumet tona dhe vet gazetarët.
 
Duke qenë se vendi ynë ka një përqindje të madhe të popullësisë së re, ndërsa pikërisht sporti është lëmia që më së shumti përcillet nga të rinjët, atëherë del që ndikimi i mediumit, përmes gazetarit, është lehtësisht i mundshëm.
Kjo do të thotë se gazetarët sportiv duhet të kenë parasysh shumë fjalët që flasin/shkruajnë,  mesazhin që përqojnë dhe mënyrën e bashkëbisedimit që zhvillojnë me mysafirët në studio.
 
Te ne pothuajse nuk ka “sezonë” që nuk kemi ndonjë fjalë që bëhet “hit” ose “modë” e përdorimit. Një fjalë e caktuar, që futet në përdorim shumë shpesh, e në raste të caktuara edhe krejtësisht pa vend.
Le të përmendim vetëm disa nga shprehjet që vazhdimisht i dëgjojmë ose i kemi dëgjuar (varësisht prej sezonit), p.sh. : “për momentin”, “si do që të jetë”, “definitivisht”, “patjetër”, “realisht”, etj, etj !
 
Këto fjalë sigurisht se e kanë vendin e vet, por jo të përdoren tej mase, jo të përdoren si një lloj “xhokeri”, ku do dhe sa herë do !
 
Pikërisht përdorimi i tepërt i tyre po i bënë ato fjalë “hit” ose po i bënë fjalë në “modë”!
 
Gjuha shqipe është shumë e pasur me fjalë. Ka mjaftë fjalë që mund të zavendësohen me fjalë që kanë kuptim të njejtë (sinonime) e që asgjë nuk i humbë kuptimin, përkundrazi vetëm sa e pasuron qoftë shkrimin, komentimin, raportin, bisedën, apo çka do qoftë.
 
Këtu dua të ndalem konkretisht te shprehja “hakmarrje” që na ka ndodhur ta dëgjojmë shpesh në raporte gazetareske, nëpër tituj temash, komentime të ngjarjeve sportive, etj.
 
Pa dashtë të imponoj mendimin askujt, por vetëm nga dëshira me qenë sa me korrekt me përdorimin e termeve, mendoj se shprehja më e përshtatshme për çfardo ngjarje sportive që ka të bëjë me ate që dikush po e quan “hakmarrje” do të ishte “revansh”.
 
Përdorimi i termit “hakmarrje” për ngjarjet sportive mendoj se nuk është aspak korrekte e as sportive.
 
Sporti njihet si lëmi që bashkon, afron njerëzit. Prandaj, si mund të jetë i tillë nëse themi se ky ekip do t’i hakmirret ekipit tjetrit, ose ky sportist pret t’i hakmirret tjetrit, etj etj. 
 
Gjuhëtarët do të mund ta elaboronin edhe në aspektin shkencor këto çështje, por nga këndvështrimi sportiv mendoj se përdorimi i termit “revansh” ose “revanshim” është shumë më i përshtatshëm për përdorim, sa herë që kemi të bëjmë me ngjarjet sportive.
 
Fjala “revansh” është fjalë frënge, por si e tillë e inkorporuar në gjuhën shqipe në pajtim me normën drejtshkrimore të gjuhës së sotme letrare, sikur edhe shumë fjalë të tjera.
 
Për këtë nuk kam konsultuar gjuhëtarët, por kam konsultuar “Fjalorin e gjuhës shqipe”, dhe “Fjalor fjalësh të huaja në gjuhën shqipe”, dhe ja si i përshkrujnë këto dy fjalë:
 
HAKMARRJE f. sh. 
1. Shpagim për një të keqe, për një dhunë, për një krim a për një padrejtësi, për një fyerje, për 
një qortim a kritikë etj., duke e ndëshkuar a duke e dëmtuar me mënyra të ndryshme atë që e ka 
bërë; prirja a dëshira për të marrë hak.
 
REVANSH-I (FR.revanche-shpagim)
1. Të kthyerit në të njejtën masë, shpagim, hakmarrje, 
2. Ndeshje sportive, në të cilën të mundurit i jepet rasti të kthej fitoren e humbur në ndeshjen e mëparshme,
 
REVANSHOHET (fr.revancher-shpaguaj) ia kthen në të njejten masë.
 
Termi hakmarrje nuk do të preferoja ta përdorja as në meçet e boksit, aty ku rivalët rrihen plot 12 runde, sepse edhe ajo është një ngjarje sportive dhe në fund bokserët duhet t’i japin doren njëri-tjetrit.
 
Për ngjarjet sportive fjala “hakmarrje” tingëllon shumë vrazhët në krahasim me fjalën “revansh”.
Përdorimi i fjalës “revansh” në vend të fjalës “hakmarrje” besoj se do t’i shërbente shumë edhe parandalimit të tensioneve dhe dhunës së mundshme në ngjarjet sportive. 
 
Pra, në sport nuk do të duhej të kishte “hakmarrje” (as në boks), ka vetëm “revansh”. 
 
Është thënë edhe më parë se; revanshi më i mirë është suksesi !
Email to send to: *
Your name: *
Your E-mail: *