U-17: Kosova - Greqia 0:1
18.01.2017 | 10:47
Përfaqësuesja e Kosovës U-17 e ka zhvilluar sot ndeshjen e dytë në Izmir në kuadër të turneut “Mercedes Benz Aegean Cup”, por këtë herë ajo ka qenë miqësore.
 
Përballë djelmoshave të Besnik Kollarit ishte Greqia, e cila bën pjesë në Grupin B. Pas një ndeshje shumë të barabartë fitores iu gëzuan grekët, me rezultat 1:0, falë një penalltie të dyshimtë të akorduar nga gjyqtari turk.
 
Në ndeshjen e sotme Kosova pati një paraqitje dinjitoze, ndonëse as në ndeshjen kundër Turqisë nuk luajti dobët, por u ndëshkua nga gabimet. Kësaj radhe djelmoshat ishin shumë më të vëmendshëm dhe gjatë tërë kohës u treguan rivalë të barabartë të Greqisë, madje në disa periudha të lojës ishin dukshëm më të rrezikshëm se kundërshtari.
 
Në pjesën e parë mundësinë më të mirë për të shënuar e pati Bajrush Osmani, në minutën e 20-të, por gjuajtja e tij nga brendësia e zonës u bllokua nga mbrojtja greke, derisa kundërshtari nuk e pati asnjë rast të rrezikshëm.
 
Greqia shënoi golin e epërsisë në minutën e 52-të nga penalltia nëpërmjet Georgis Vrakas, pasi gjyqtari e vlerësoi të palejueshme një ndërhyrje për top të Altin Lutollit.
Pas këtij goli djelmoshat e Kollarit nuk u thyen moralisht dhe vazhduan me përpikëri t’i zbatonin detyrat e trajnerëve, duke organizuar aksione mjaft të mira, por që fati u mungoi në finalizim.
Në minutën e 60-të, gjuajtja e Edin Huseinit kaloi pranë portës, derisa në minutën e 80-të Qëndrim Zyba ishte dhe më afërt golit, por gjuajtja e tij edhe pse e kaloi edhe portierin grek, në fund përfundoi përskaj shtyllës.
Në këtë periudhë loje Kosova u dëmtua për një penallti kur lojtarët grekë luajtën me dorë brenda zonës, si dhe Edin Huseini u faulua, por gjyqtari heshti.
 
Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon, të enjten, për pikë në kuadër të Grupit A kundër Sllovakisë.
 
Kosova-Greqia    0:1
Stadiumi “Altinordu Metin Oktay Tesisleri”
Gjyqtarë: Goksu Furkan Gungor
 
Kosova: Shaban Kuquku, Adonis Sopa, Leard Sadriu, Besnik Koci, Gent Musa, Altin Lutolli, Dardan Shabanhaxhaj, Bajrush Osmani, Adonis Aliu, Albin Prapashtica, Qëndrim Zyba. Luajtën edhe: Edin Huseini, Valon Zumberi, Deniz Sadiku, Armend Gashi, Blend Morina.
 
Greqia: Theodiris Venetikidis, Nikolaos Gkotzamanidis, Christos Voutsas, Georgis Vrakas, AG Georgantis, Nikoloas Dosis, Konstantinos Thymianis, Dimitrios Karagiannis, Georgios Liavas, Ioannis Orkas, Georgios Stamatis. Luajtën edhe: Emmanuoil Arvantis, Pavlos Mavroudis, Theodoris Pournaris, Dimitrios Serpezis.
 
(FFK)
 
Email to send to: *
Your name: *
Your E-mail: *