A kaloi koha e entuziazmit ?
10.11.2016 | 11:19
Shkruan: Esad EJUPI
 
Çdo gjë në jetë e ka një pikënisje dhe çdo pikënisje ka entuziazëm. Por, entuziazmi i fillimit zakonisht nuk zgjatë shumë dhe nuk garanton suksesin afatgjatë. Garancë e vetme për suksese gjatë rrugëtimit profesional e sportiv është puna, disiplina, dhe menaxhimi i mirë.
 
Pikënisje e garave ndërkombëtare për Kosovën ishte ndeshja e parë kualifikuese kundër Finlandës që u zhvillua në kuadër të grupit “I” kualifikues.
 
Kjo ndeshje u zhvillua me entuziazmin e madh pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA dhe mundësisë që për herë të parë të garojmë si të gjitha shtetet tjera të pranuara ndërkombëtarisht.
 
Paraqitja e mirë dhe rezultati i favorshëm në Turku të Finlandës (1:1) vetëm sa e shtuan edhe më shumë këtë entuziazëm.
 
Dhe kjo pastaj na erdhi, për të mos thënë pak si “bumerang” në ndeshjen e dytë, atë si vendas kundër Kroacisë (0:6), e pastaj edhe në të tretën si mysafir kundër Ukrainës (3:0).
 
Megjithatë, përkundër këtyre humbjeve, përveç disa zërave kritik për punën e përzgjedhësit Bunjaku, një pjesë e madhe e tifozëve edhe e dashamirëve të futbollit që rezononin me kokë të ftohtë, nuk shihnin dëshpërim të madh, sepse realisht është ky vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë. E çka ishte më e mira, nga taborri i Përfaqësueses së Kosovës raportohej për atmosferë të mirë si grup.  
 
Por, tani kur jemi para ndeshjes se katërtë të fazës së grupeve, kundër Turqisë në Antalia, vërehen qartë shkëndijat e para të paknaqësive edhe në ekip.
 
Mungesa e Bersant Celinës për shkaqe personale, e tani mos udhëtimi i futbollistit Albert Bunjakut që t’i bashkangjitet ekipit në Antalia (përkundër ftesës), janë tregues i mjaftueshëm se po kalon koha e asaj ndjenjës së fuqishme të gëzimit dhe k’naqësisë, të dëshirës së zjarrtë e vullnetit të madh të futbollisteve.
 
Tani është koha që Përfaqësuesja e Kosovës të rritet e të zhvillohet me disciplinë ndër lojtarë, motivim të shtuar, punë profesionale nga shtabi teknik, por edhe me një menaxhim shumë më profesional në të gjitha segmentet që i ka Federata e futbollit në vend.
 
Përfaqësuesja e Kosovës sapo është nisur në arenën zyrtare ndërkombëtare. E në këtë rrugëtim të gjatë, është mirë që sa më herët, e sa më shpesh, të nisim të lëmë gjurmë suksesi ! 
Email to send to: *
Your name: *
Your E-mail: *